Emigracioni- kërcënim i Sigurisë në Europë në shek.XXI
Albana Lada
Migrimi është një fenomen që ndikon padyshim në formën e botës moderne. Në një shkallë globale mund të shihet lidhja gjithnjë e më e fortë në mes tendencave të shpernguljes së njerëzve dhe globalizimit. Kjo vihet re kryesisht si rezultat i faktorëve ekonomikë të cilët midis të gjitha kushteve të tjera që përcaktojnë migrimin, luajne rolin më të rëndësishëm. Njeriu jeton nën kërcënim të vazhdueshëm. Dikur kërcënimi ishte pothuajse ekskluzivisht natyrore, por me zhvillimin e qytetërimit filluan të shfaqen rreziqe të reja. Ngjarjet aktuale në botë stimulojne kërkuesit e rinj në bërjen e analizës dhe reflektimeve mbi realitetin bashkëkohor politik. Migracioni është një prej këtyre fenomeneve, të cilat në mënyrë specifike ndikojnë në ndryshimet në botën përreth dhe cënojnë veprimtaritë politike, ekonomike dhe ligjore.
Hyrje
Në Evropë, migrimi është rritur në mënyrë të qëndrueshme pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Emigracioni është një aspekt thelbësor i zhvillimit global demografik. Lëvizja e njerëzve përmes kufijve të ndryshëm kombëtar është e veçantë për të gjitha fazat e evolucionit të njeriut dhe në veçanti në dy shekujt e fundit, kur praktikisht u bë një dukuri e përditshme.
Efektet e migrimit janë të dukshme në shumë sfera të jetës: shoqërore, politike, sociale, ekonomike, kulturore, psikologjike etj. Këto efekte kanë karakter pozitiv dhe negativ, duke u bërë kështu një burim i konflikteve të ndryshme në Evropë. Nga njëra anë, migrimi i popullsisë ka një ndikim të rëndësishëm në qëndrueshmërinë e tregut të punës, duke ndryshuar statusin ekonomik dhe social të shoqërisë, të shoqëruar shpesh nga rritja e përgatitjes arsimore dhe profesionale. Nga ana tjetër - një fluks masiv i emigrantëve, mund të rezultojë në rritjen e papunësisë, rritjen e presionit mbi ndihmën sociale, etj. Migracioni gjithashtu ndikon në strukturën demografike dhe sociale, shpërndarjes së popullsisë dhe ndryshimin e përbërjes së saj etnike dhe çon në marrëdhëniet e tensionuara mes vendeve, dhe madje edhe në destabilizimin ndërkombëtar. Per këtë arsye migrimi ka filluar të shihet si një sfidë dhe një kërcënim kombëtar dhe ndërkombëtar të sigurisë, sidomos pas rënies së sistemit bipolar, kur koncepti i "sigurisë" nuk barazohej më me sigurinë ushtarake, por përfshin edhe lloje të tjera, të tilla si siguria ekonomike, ekologjike, politike, demografike dhe më shumë. Ky artikull kërkon të tregojë rëndësinë dhe ndikimin e fenomenit të emigracionit për kërcënimin e sigurisë në Evropë. Pa siguri veprimtaria e njeriut është joefikas dhe nganjëherë e pakuptimtë. Kjo është arsyeja pse studimi mbi sigurinë, në krahasim me studimet e tjera, ndihmojnë për të ndihmuar të kuptuarit e shoqërisë si një organizëm të vetëm e të pandarë.
Emigrimi si kërcënim i sigurisë
Fillimi i shekullit XXI është i pasur me një sërë transformimesh në mjedisin social,
kulturor, ekonomik, politik, mjedisor, etj. Këto ndryshime kanë sjellur një sërë problemesh dhe rreziqesh. Pa dyshim, faktori më i rëndësishëm, i cili ka një ndikim të drejtpërdrejtë në këtë transformim, është procesi i globalizimit vazhdimisht në rritje, e cila po ndryshon realitetin ndërkombëtar dhe është burimi i shumë antagonizmave. Një nga manifestimet më të dukshme të efekteve të ketij procesi është e lidhur direkt me lirinë dhe zgjerimin e lëvizjes së lirë ndërkombëtare të mallrave dhe të popullsisë, kjo si rezultat i progresit teknologjik konstant të komunikacionit dhe transportit me qëllim zgjerimin e zhvillimin të infrastrukturës globale. Duhet theksuar se një rol të rëndësishëm ka luajtur dhe transformimi i paraqitjes së disa shteteve të cilët, në përpjekje për t'u përshtatur me realitetin aktual, në njërën anë përshtaten me mjedisin e ri të bazuar në korrelacion midis pjesëmarrësve; në anën tjetër aktivitetet e tyre janë fokusuar në maksimizimin e fitimeve të tyre personalë nga pjesëmarrja në bashkëpunimin Botëror. Në kontekstin e këtij transformimi një problem të rëndësishëm përbën bilanci i fitimeve dhe humbjeve që rrjedhin nga qarkullimi i mallrave dhe mbi të gjitha i njerëzve, përtej kufijve kombëtarë. Me zhvillimin e infrastrukturës së transportit mbarëbotëror, kostoja e transportit të mallrave, të informacionit dhe udhëtimit ka rënë në mënyrë drastike. Pa dyshim, ky fakt ka një ndikim pozitiv në arenën ndërkombëtare duke kontribuar në një rritje të përgjithshme në rritjen ekonomike botërore.
Megjithatë, fenomeni ka raportuar edhe një konotacion negativ. Si rezultat, distanca gjeografike dhe kufijtë kombëtarë, për fat të keq, nuk mund të parandalojnë përhapjen e të gjitha llojeve të kërcënimeve. Prandaj, përfaqësuesit e lëvizjes anti globaliste dhe nacionaliste gjithmonë theksojnë efektet negative të transformimit global, duke pretenduar se ata përbëjnë një kërcënim për vazhdimësinë e vendit, shkatërrimin e identitetit, kulturës dhe traditës rajonale. Fenomeni i globalizimit dhe lëvizjes së lirë të informacionit, mallrave, dhe veçanërisht te individëve, kontribojnë drejtpërdrejt në rritje të mprehtë të procesit të migrimit. Në ditët e sotme, pengesë më pak përbën gjuha, politika, ligji i shtetit për ku udhëtojmë, dhe shpenzimet të udhëtimit. Shfaqet një fenomen i ashtuquajtur "vdekja e gjeografisë", në të cilin njerëzit nuk e identifikojnë veten e tyre me zonën e origjinës, por me atë shtet që u garanton atyre një jetë të denjë. Ata fillojnë të ndjehen qytetarë të botës.
Pasojat e emigrimit
Çfarë e bën personin në shumë raste, të ndryshojë tërë jetën e tij dhe ta ndërtoje atë përsëri nga e para?
Arsyet për një vendim të tillë mund të jenë të lidhura me nivelin material, apo pakënaqësisë së jetesës dhe kërkimin për përmirsim. Mund të jenë dhe faktorët ekonomike, politikë, socialë, fetare, kulturore, ose ekologjikë ato të cilët motivojnë një person për të marrë vendime radikale.
Fenomeni i emigrimit a siguron gjithnjë përmirësimin e nivelit të jetesës dhe a është ky gjithmonë një fenomen i favorshëm?
Fatkeqësisht jo. Përveç aspekteve pozitive të pamohueshme ndryshimi, emigrimi sjellë me vete dhe një konotacion negativ problematik për individët, si dhe për tërë sigurinë globale.
Sigurisht, fenomeni i migrimit nuk është e re në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Si rezultat i zgjerimit të proceseve të globalizimit u shfaqën shumë faktorë që më përpara nuk kanë pasur një dimension kaq të madh:
Së pari ka të bëjë kjo më informacionin. Në të kaluarën, migrimi kishte karakter margjinal për shkak të aftësisë së kufizuar në komunikacion. Distanca gjeografike dhe koha e nevojshme për të siguruar informacion në lidhje me fatin e emigrantëve, minimizonin ardhjen dhe përcjelljen e mesazheve mbi fenomene të tilla.
Aspekti i dytë që dallon migrimin e sotëm nga ai i shek XIX ishte në interpretimin e saj. Emigrimi përcaktohej si një dukuri juridike apo ekonomike. Vendet nga të cilët emigrohej, parashtronin një të ashtuquajtur pools – që caktonte kufijtë dhe caqet për ata të cilët mund të largohen nga vendi pa cënuar situatën ekonomike. E njëjta gjë ndodhte edhe në rastin e vendeve pritëse, ku fluksi i njerëzve nga jashtë kontrollohej nga afër. Aktualisht, si rezultat i rrjedhjes së informacionit mbi migracionit, kategoritë e përceptimit të saj ndryshuan nga një fenomen thjesht ekonomik në shoqëror.
Se treti, ndryshe nga versionet e mëparshme tipar dallues e këtij fenomeni është multikulturalizmi. Aktualisht,emigrojnë përfaqësues të kulturave të ndryshme, feve dhe pikëpamjeve. Më parë, kjo ndodhte vetëm në rastin e migrimit të detyruar (të tilla si tregtia e skllevërve) dhe migrimit ekspansiv (pushtimi i territorit). Sot ajo është një fenomen krejtësisht vullnetar.
Proceset e migracionit të cilat duhet te japin garanci për përmirësim të jetesës, shpesh bëhen shkaku i problemeve dhe kërcënimeve të reja të sigurisë. Përveç aspekteve padyshim të dobishme, ka edhe pasoja negative për sigurinë, te tilla si:
Humbja e identitetit kombëtar,
Kërcënimet Ekonomike,
Kërcënimi qytetërimi dhe kultura,
Terrorizmi Ndërkombëtar dhe përhapja e krimit të organizuar.
Humbja e identitetit kombëtar
Liria e lëvizjes dhe zgjedhjes së një vendi të ri për të jetuar lidhet drejtpërdrejtë me humbjen e zakoneve, traditave lokale, dobëson pavarësinë e disa vendeve etj.
Globalizimi- rrezik për shtetin kombëtar
-Mungesa e barazisë së brendshme
Kërcënimi që vjen nga nacionalizmave të vogla, grupeve etnike, etj.
-Mungesa e barazisë së jashtme
Nevojë për sigurinë rajonale dhe globale
-Varësi ekonomike
Varësia nga organizatat ndërkombëtare ekonomike dhe financiare
-Integrimi shoqëror
Zhvillimi i standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, kontakte profesionale
-Integrimi teknik
Varësia nga rrjetet e komunikimit global dhe përparimet e fundit teknologjike rrisin ndjeshmërinë për prishjen dhe minimizimin e vetë-mjaftueshmërisë ekonomike
-Varësi ekologjike
Rreziku i ndotjes së mjedisit, ngrohja globale, etj;. paaftësia për të zgjidhur këtë problem brënda për brënda shtetit
Burim: T.G. Mc Grew i P.G. Lewis, Global politics, Cambridge 1992.
Kërcënimi ekonomik
Globalizimi, i cili kishte për të eliminuar pabarazitë ekonomike, teknologjike në të gjitha rajonet e botës, me qëllim garantimin e sigurisë globale, në mënyrë paradoksale ka kontribuar në rritjen e pabarazivë dhe thellimin e disproporcioneve midis shtresave të ndryshme shoqërore të globit. Për shtetet të cilat presin emigrantë shpesh ky fenomen është i barabartë me:
· Përmirësimin e zhvillimit ekonomik,
· Perfitimin e një grupi të punëtorëve të kualifikuar;
· Ripërtëritjen e shoqërisë.
Për shtetet nga të cilët emigrojnë ky fenomen është i barabartë me:
·Humbjen e asaj pjese të popullsisë, e cila përbën një potencial zhvillimi,
· Emigracionin e trurit (brain drain),
· Plakjes demografike të popullsisë, një rënie në përqindje per lindjet, fertilitetit, rritjes natyrale së popullsisë.
Nëse analizojmë pasojat ekonomike të proceseve të emigracionit, duhet të theksohet se
për vendet nga ku emigrohet,ky fenomen është e barabartë me:
· Humbjen e fuqisë punëtore,
· Lirimin e vendeve të punës;
· Rënia e normës së papunësisë,
· Ndryshimet në strukturën e punësimit,
· Transferimi i parave,
· Rrjedhjen e personelit të kualifikuar.
Për vendet pritëse do thotë:
· Rritje në prodhimin dhe konsumim,
· Plotësimi i vendeve të reja pune,
· Rrjedhjen e parave,
· Perfitimin e forces punëtore të lirë,
· Rritja në shpenzimet sociale.
Kërcënim qytetrimi dhe kulture
Teknologjitë moderne të informacionit vranë identitetin, individualitetin, kulturën kombëtare, duke ngritur kryengritje, agresione, tendenca separatiste, nganjëherë edhe tejet nacionaliste.Si rezultat i përhapjes së "bashkimit të botës", në plan të parë doli aftësia e shteteve për të siguruar dhe garantuar kulturën dhe qytetrimin qytetarëve të saj. Aprovuar nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, emigrimi ligjor ekonomik, politik dhe social sjell një përplasje të drejtpërdrejtë të pikëpamjeve të ndryshme kulturore dhe identiteteti. Për fat të keq, si pasojë e fluksit të madh emigrantësh, një nga kërcënimet më të mëdha për sigurinë në Europë është problemi i konflikteve të ndryshme civilizuese dhe identiteti.
Padyshim, fenomeni i migrimit ndërkombëtar ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në formën dhe natyrën e njësive organizative kërcënuese. Formimi i bashkësive multikulturore të emigrantëve shpesh krijon një platformë të favorshme për të gjitha llojet e grupeve kriminale dhe terroriste.
Terrorizmi ndërkombëtar dhe krimi i organizuar
Pas sulmeve të 11 shtator 2001, çështja e migrimit ndërkombëtar ka pushuar të trajtohet thjesht në kontestet demografike dhe sociale. Ngjarjet që ndodhën ndryshuan perceptimin e fenomenit dhe filluan të marrin në konsideratë kontekstin e ndikimit të migrimit mbi sigurinë lokale dhe atë globale. Ky fenomen i margjinalizuar filloi të lidhej direkt me krimin e organizuar, trafikimin e qënieve njerëzore, armëve dhe drogës, si dhe fenomenin e terrorizmit ndërkombëtar.
Shtrëngimi i kontrolleve kufitare, politika kufizuese e vizave, teknologjia moderne në fushën e identifikimit, baza e të dhënave profesionale dhe shkëmbimi i informacionit në kuadrin e bashkëpunimit ndërkombëtar, janë masat kryesore të ruajtjes nga kërcënimi në botën moderne. Megjithatë, këto masa përqëndrohen kryesisht në monitorimin e rrezikut në rast të një situate të rëndë, dhe jo në nivelimin e rreziqeve të mundshme. Keto masa nuk mund të garantojnë minimizimin e formimit të grupeve me karakter kriminal ekstremiste dhe separatiste. Globalizimi i informacionit, kufijtë e hapur, lëvizja e lirë e mallrave, shërbimeve dhe mbi të gjitha e njerëzve janë edhe kushtet e favorshme që krijojnë terren për emigracionin e paligjshëm. Në vitet e fundit të shekullit XX dhe në fillim të shek XXI, ky problem është rritur me shpejtësi. Është vlerësuar se çdo vit në BE emigrojnë rreth 300-350.000 emigrantë të paligjshëm. Ky fenomen shfrytëzohet gjerësisht edhe nga organizatat terroriste. Migrimi ilegal përbën një mundësi e re atraktive për veprimin e krimit të organizuar. Ajo mund të veprojë në shumë nivele të shoqërisë dhe merr një shumëllojshmëri formash.Migrimi ilegal është i lidhur ngushtë me falsifikimin e dokumenteve, apo edhe të kontrabandës. Një tjetër problem aktual është dhe kontrabanda e armëve, drogës, substancave toksike që mund të formojnë bazën për prodhimin e armëve biologjike dhe kimike, si dhe adoptim të paligjshëm të fëmijëve.
Dimensioni politik i emigrimit
Migrimi politik lind si pasojë e ndryshimeve politike. Migrimet përfshijnë lëvizjet masive të popullsisë të shkaktuara p.sh. nga ndryshime në kufijtë shtetërorë (riatdhesimi i qytetarëve) ose largimi i popullatës kundër formave të ndryshme të diskriminimit, etj. Aktivitetet politike që lidhen me praninë e emigrantëve në BE, fokusohen kryesisht në çështjet që lidhen me funksionimin e dimensioneve ekonomike dhe ligjore të shtetit. Aktualisht eshtë përhapur në Evropë perceptimi i emigrantëve si "elektorat zgjedhës" si në vendin e emigrimit ashtu dhe të imigrimit. Politikanët kanë filluar që të përfshijnë në programet e tyre zgjedhore migracionin, zgjerimin apo kufizimin e ndihmës së dhënë për të huajt, dhe bëjnë thirrje për sjelljet specifike të popullsisë emigrante. Rritja gjithnjë e më tepër e emigrantëve në territorin e Europës, ka ndikuar edhe në rritjen e shkallës së radikalizmit, rrjedhur nga frika apo mospëlqimi i emigrantëve dhe përcëptimin e tyre si një kërcënim potencial. Politikanët evropianë i kushtojnë vëmendje dallimeve të mëdha kulturore dhe fetare në mes të të ardhurve të rinj dhe banorëve vendas. Kjo situatë mund të çojë në lindjen e antagonizmave të ndërsjellë, në qëndrime ekstreme dhe në reagimet e përfaqësuesve të të dyja palëve. Sipas Zygmunt Bauman sfera private në politikë sot kolonizon sferën publike. Kjo nga njëra anë si rezultat me kultin e individualizmit dhe humbjen e ndjenjës së të qënit shtetas, në anën tjetër, është rezultat i politikës së "mos angazhimit" dhe "neutralitetit". Këto qëndrime mund të kontribuojnë në shkallëzimin e çfarëdo lloji lëvizje radikale.
Emigrantët duhet të trajtohen si qytetarët te komunitetit evropiane. Arsyeja kryesore, qe shumë shpesh neglizhohet në diskutime mbi ekstremizmat që janë shfaqur dhe ato që do shfaqen midis komunitetit të emigrantëve, është pikërisht niveli ekonomiko - kulturore. Zbutja e këtyre dallimeve dhe dispariteteve është sot një nga sfidat më të mëdha për politikanët evropianë. Pasojat politike të migracionit mund të përfshijë gjithashtu nevojën për një politikë të përbashkët në fushat e migracionit. Kjo situatë ka detyruar qeveritë evropiane për të bashkëpunuar në fusha të ndryshme të politikës dhe jo vetëm. Si rezultat i zhvendosjes së njerëzve nga një vend në një tjetër shtetet janë të prirura të bashkëpunojne me njëra-tjetrën, jo vetëm në sferen ekonomike, por edhe politike në mes vendit të origjinës dhe vendit pritës. Shtetet, dashur pa dashur, nga marrëdhëniet intensive të qytetarëve të saj duhet të punojnë së bashku për të marrë masa për të lehtësuar një politikë efektive fiskale, arsimore ose shoqërore. Kryesisht fale emigrantëve rritet edhe ndërvarësia ekonomive të këtyre vendeve, sidomos nëpërmjet zhvillimit të transportit dhe komunikimit midis tyre. Kjo gjë rrit ndjeshëm nevojën për bashkëpunim mbi çështjet e sigurisë dhe njohjen reciproke të popullsisë. Kjo nxit zhvillimin e tolerancës dhe ndërtimin e një shoqërie multikulturore. Institucionet arsimore dhe universitetet krijojë bashkëpunim të ndërsjellë midis tyre dhe bashkë me lëvizjen e njerëzve bëhet e mundur rrjedhja e informacionit, realizimi i projekteve kërkimore apo organizimi i arritjeve të tjera shkencore.
Perfundime
Emigracioni mund të ndikojë pozitivisht, si dhe negativisht ne jeten ekonomike, sociale, kulturore dhe madje edhe ne jetën politike në një shtet të caktuar. Në mënyrë që të mos shkaterroje paqen sociale, emigracioni duhet të shoqërohet me integrim të suksesshëm në shoqëritë e vendeve pritese. Ata, në anën tjetër, duhet të jenë tolerant mjaftueshëm për ekzistencen e etnive të tjera dhe për kulturën dhe traditat që ata sjellin me vete. Migrimi qëndron në krye të axhendës së politikës evropiane. Gjatë viteve të fundit ajo është bërë një aspekt i marrëdhënieve evropiane me botën e jashtme. E përcaktuar si një prioritet strategjik e cila cënon stabilitetin e përgjithshëm në Evropë, menaxhimi i migrimit është konsideruar si një çështje që ka nevojë për koordinim dhe bashkëpunim në shume nivele dhe me ndërhyrjen e shumë aktorëve kombëtare dhe ndërkombëtare.
Politika e migracionit dhe rëndësia e fenomenit duhet të vlerësohen dhe monitorohen vazhdimisht. Politikat dhe aktet ligjore duhet të ndërtohen në mënyrë të atillë që të mund të përdoren në situata të ndryshme. Megjithatë sado të përsosura të jenë masat apo vendimet politike e ndërmarra, është e pamundur të përkufizohet në mënyrë të njëtrajtshme kuptimi i migrimit në botën moderne, dhe në Europën Bashkëkohore. Mund të kufizohemi vetëm në përpjekjen për të identifikuar problemet dhe çështjet lidhur me këtë fenomen në arenën e sotme politike të vendeve evropiane.