LEKSIONI NR. 5 FRYMËKËMBIMI FRYMËKËMBIMI TE NJERIU Aparati i frymëkëmbimit frymëkëmbimit Çdo qelizë në trupin e njeriut duhet të sigurojë oksigjenin dhe të nxjerrë jashtë saj dyoksidin e karbonit. Shkëmbimin e këtyre gazeve për trupin e njeriut e kryen aparati i frymëkëmbimit. Aparati i frymëkëmbimit ose aparati i këmbimit këmbimit të gazeve te njeriu përfshin të gjitha ato organe të trupit që e përcjellin ajrin nga mjedisi rrethues për në mushkëri ose nga mushkëritë për në mjedisin rrethues. Kështu, frymëkëmbimi përfshin dy procese: frymëmarrjen dhe frymënxjerrjen. Të dy këto procese kryhen nga të njëjtat organe, nga organet e aparatit të frymëkëmbimit. Fig............ Pamje e aparatit të frymëkëmbimit
Mushkëritë përfaqësojnë organin kryesor të aparatit të frymëkëmbimit. Mushkëritë janë dy masa muskulore si sfungjer, njëra e vendosur në anën e majtë të zemrës dhe tjetra e vendosur në anën e djathtë të saj. Ato vendosen brenda në zgavrën e kraharorit dhe zënë një pjesë të madhe të kësaj zgavre. Secila nga dy mushkëritë është e mbuluar nga një qese membranore me dy shtresa që quhet pleura. Pjesa e pleurës që është në kontakt me murin e gjoksit, është quajtur fletëza e jashtme e pleurës , ndërsa pjesa e pleurës që shtrihet mbi sipërfaqen e mushkërive, është quajtur fletëza e brendshme e pleurës. Hapësira ndërmjet dy fletëzave të pleurës është e mbushur me ujë dhe ajër që mbrojnë mushkëritë gjatë fërkimit të tyre me pjesët e tjera të kafazit të kraharorit.
Rrugët e frymëkëmbimit Rrugët e frymëkëmbimit fillojnë me dy vrimat (zgavrat) e hundës, me anën e të cilave bëhet thithja e ajrit. Ajri i thithur me vrimat e hundës përcillet më tej për në fyt (faring), për në gurmaz (laring) dhe për në skërfyell (trake). Pasi kalon trakenë, ajri lëviz drejt mushkërive përmes dy degëzimeve të tjera që janë bronket. Njëra prej bronkeve e përcjell ajrin për në mushkërinë e djathtë dhe tjetra e përcjell ajrin për në mushkërinë e majtë.
Zgavrat e hundës vishen nga brenda nga qeliza të indit mbulues, që prodhojnë lëndë jargore (mukus), prandaj dhe quhen qeliza të mukusit. Po kështu, nga këto qeliza dalin disa qime të shkurtra. Ajri i thithur, duke kaluar nëpër qimet e shkurtra dhe nëpër masën jargore që gjenden në vrimat e hundës, pastrohet nga disa thërrmija, nga disa ndotës dhe nga disa infektues që dëmtojnë shëndetin e njeriut. Po kështu, ajri në vrimat e hundës fillon të marrë temperaturën e trupit të njeriut. Për këto arsye këshillohet që ajri të thithet me hundë dhe jo me gojë. Pasi kalon vrimat e hundës, ajri i thithur futet në fyt (faring). Por në faring bashkohet si rruga e ajrit ashtu edhe ajo e ushqimit. Për këtë arsye ekziston rreziku i mbytjes, në qoftë se ushqimi aksidentalisht hyn në gurmaz (laring) dhe në skërfyell (trake). Pas fytit, ajri kalon për në gurmaz (laring) nëpër një çarje që quhet vrima e gurmazit ose glota. Gurmazi (laringu) quhet edhe kutia e zërit, sepse shërben për prodhimin e tingujve të zërit. Tingujt e zërit prodhohen nga dridhja e kordave të zërit që janë disa ligamente elastike si fije të kapura në anë të vrimës së gurmazit (glotës).
Kordat e zërit prodhojnë tinguj kur ajri kthehet mbrapsht, nga gurmazi nëpër vrimën e gurmazit. Për të penguar futjen e ushqimit në gurmaz, mbi vrimën e gurmazit (glotës) gjendet një fletë muskulore që quhet epiglota. Epiglota ka për funksion që, kur kalon ushqim nëpër fyt, të mbyllë vrimën e gurmazit (glotën) në mënyrë që ushqimi të kalojë nga fyti (faringu) për në kapërcell (ezofag). Skërfyelli (trakea) është një gyp që, sikurse fyti, qëndron gjithnjë i hapur, sepse është i ndërtuar nga një seri gjysmë unazash kërcore (kartilagjenore) në formën e shkronjës C. Fundet e këtyre gjysmunazave nuk takohen në anën e prapme me njëra-tjetrën, por lidhen me fibra muskujsh të lëmuar. Qelizat që veshin nga brenda skërfyellin, kanë shumë qime të shkurtra si qerpikë. Këto qerpikë rrahin për lart, për të rinxjerrë grimcat e pluhurit dhe grimcat e ushqimeve të cilat rastisin të "kalojnë poshtë në rrugë të gabuar" në fyt ose në faring. Fig............ Skema e ndërtimit të skërfyellit (trakesë)
Bronket formohen si dy degëzime në fund të skërfyellit. Njëra prej bronkeve përfundon në mushkërinë e djathtë dhe tjetra përfundon në mushkërinë e majtë. Edhe qelizat që veshin bronket nga brenda, kanë qime të shkurtra si qerpikë që kryejnë të njëjtin funksion si edhe qerpikët në skërfyell. Kur arrijnë në mushkëri, secila nga bronket degëzohet në një numër të madh degëzimesh të vogla që quhen bronkiole. Çdo bronkiole përfundon në një hapësirë si qeskë me ajër që quhet hojëz ose alveolë. Mushkëritë e njeriut formohen nga rreth 300 milion alveola. Çdo alveolë është e kufizuar nga një shtresë njëqelizore prej qelizash epiteliale të sheshta. Kjo shtresë
mbuluese shumë e hollë e tyre siguron shkëmbimin e dyoksidit të karbonit, që largohet nga gjaku me oksigjenin që futet në gjak. Sipërfaqja e shtresës mbuluese të alveolave, ku bëhet shkëmbimi i gazeve në mushkëri, arrin rreth 70-100m 2. Në sipërfaqe të kësaj shtrese mbuluese të alveolave gjenden kapilarë gjaku të shumtë. Duke kaluar në të gjithë organet e aparatit të frymëkëmbimit, ajri që arrin në mushkëri, merr temperaturën e trupit dhe ka lagështinë e nevojshme në mënyrë që të mos shkaktojë tharjen e mushkërive. SHKËMBIMI I GAZEVE NË TRUPIN E NJERIUT
Lëvizjet e frymëkëmbimit Frymëmarrja është më e domosdoshme sesa të ushqyerit. Ndërsa pa ngrënë mund të jetohet disa ditë, pa bërë frymëkëmbim nuk mund të durohet as për disa minuta. Ritmi normal i frymëkëmbimit tek të rriturit është rreth 14-20 herë në minutë. Te foshnjat ky ritëm është mbi 40 herë në minutë, te fëmijët 20-40 herë në minutë. Sa më shumë energji të shpenzohet, aq më i madh është ritmi i frymëmarrjes. Një i rritur në kushte qetësie përdor mesatarisht rreth 250 ml oksigjen në minutë. Kur bëhen ushtrime fizike, nevojat për oksigjen arrijnë deri në 500 ml për minutë. Gjatë frymëmarrjes njeriu thith ajër të pasur me oksigjen, ndërsa gjatë frymënxjerrjes nxjerr ajër të pasur me dyoksid karboni. Lëvizja e ajrit për në brendësi të aparatit të frymëmarrjes dhe për në drejtimin jashtë tij, kryhet me anë të mushkërive. Kujtojmë që mushkëritë gjenden në brendësi të zgavrës së kraharorit të rrethuara nga brinjët. Zgavra e kraharorit ndahet nga zgavra e barkut me anë të një cipe muskulore të sheshtë që quhet diafragma. Në kushte qetësie, diafragma qëndron e harkuar nga lart.
Gjatë frymëmarrjes, kur muskujt që gjenden ndërmjet brinjëve të kafazit të kraharorit tkurren, brinjët ngrihen lart, ndërsa diafragma ulet poshtë. Në këtë rast vëllimi i zgavrës së kafazit të kraharorit zmadhohet dhe së bashku me të zmadhohet edhe vëllimi i mushkërive. Për shkak të zmadhimit të vëllimit të mushkërive, shtypja (trusnia) e ajrit që gjendet brenda alveolave të tyre bëhet më e vogël sesa shtypja e ajrit që gjendet rreth organizmit të njeriut. Për pasojë, ajri futet nga mjedisi i jashtëm ku ka shtypje më të madhe, për në brendësi të mushkërive ku shtypja e tij është më e vogël. Gjatë frymënxjerrjes, kur muskujt që gjenden ndërmjet brinjëve të kafazit të kraharorit lëshohen, brinjët ulen poshtë ndërsa diafragma ngrihet lartë. Në këtë rast vëllimi i zgavrës së k afazit të kraharorit zvogëlohet dhe së bashku me të zvogëlohet edhe vëllimi i mushkërive. Për shkak të zvogëlimit të vëllimit të mushkërive, shtypja (trusnia) e ajrit që gjendet brenda alveolave të tyre, bëhet më e madhe sesa shtypja e ajrit që gjendet rreth organizmit të njeriut. Për pasojë, ajri del nga mushkëritë ku ka shtypje më të madhe, për në mjedisin e jashtëm, ku shtypja e tij është më e vogël. Shkëmbimi i gazeve gjatë frymëkëmbimit Ajri atmosferik që futet me frymëmarrje në alveolat e mushkërive, përmban shumë oksigjen dhe pak dyoksid karboni. Gjaku që vjen në mushkëri nga zemra me anë të artereve mushkërore, përmban të tretur në plazmën e tij shumë dyoksid karboni dhe pak oksigjen. Në këto kushte, dyoksidi i karbonit del jashtë nga kapilarët dhe futet në alveola. Po kështu, molekulat e oksigjenit që përmban ajri i thithur në alveola, futet përmes qelizave epiteliale të kapilarëve, në gjakun e tyre. Duke u bashkuar me hemoglobinën e rruazave të kuqe të gjakut, oksigjeni formon oksihemoglobinën.
Rruazat e kuqe të gjakut me molekula oksihemoglobine kthehen në pjesën e majtë të zemrës me anë të venave mushkërore. Ky gjak i pasur me oksigjen pompohet nga barkushja e majtë e zemrës për në aortë dhe me anë artereve të qarkullimit të madh të gjakut shpërndahet në të gjitha indet e organeve të trupit. Në indet ku përmbajtja e oksigjenit është e ulët, oksigjeni shkëputet nga oksihemoglobina dhe futet në qelizat e këtyre indeve. Gjaku që shpërndahet në indet e ndryshme të trupit me anë të artereve të qarkullimit të madh të gjakut, përmban të tretur në plazmën e tij pak dyoksid karboni. Qelizat e këtyre indeve të trupit, përkundrazi përmbajnë sasi të madhe të dyoksidit të karbonit që formohet si mbeturinë e veprimtarisë së tyre. Në këto kushte, dyoksidi i karbonit del jashtë nga qelizat e indeve të ndryshme dhe futet përmes qelizave epiteliale të kapilarëve, në plazmën e gjakut të tyre. Ky gjak me përmbajtje të lartë të dyoksidit të karbonit kthehet në pjesën e djathtë të zemrës me anë të venave të qarkullimit të madh të gjakut. Ky gjak i pasur me dyoksid karboni pompohet nga barkushja e djathtë e zemrës për në mushkëri me anë artereve mushkërore të qarkullimit të vogël të gjakut. Në mushkëri, dyoksidi i karbonit del jashtë nga kapilarët dhe futet në alveola. Nga alveolat, përmes procesit të frymënxjerrjes, dyoksidi i karbonit nxirret jashtë organizmit.
EDUKIM SHËNDETËSOR: SI TË MBROJMË APARATIN E FRYMËKËMBIMIT Ajri që hyn në rrugët e frymëkëmbimit nga mjedisi i jashtëm, mund të përmbajë ndotës, grimca pluhuri dhe mikroorganizma sëmundjeshkaktues, si baktere, viruse, kërpudha etj. Duke kundërvepruar ndaj këtyre faktorëve dëmtues të organeve të frymëkëmbimit, hunda prodhon lëndë jargore (mukus). Por kjo lëndë jargore që prodhohet nga qelizat epiteliale të zgavrës së hundës si dhe qimet e qerpikët e qelizave të rrugëve të frymëkëmbimit, nuk arrijnë të kryejnë plotësisht funksionin mbrojtës të organizmit. Në mjaft raste, agjentët infektues të aparatit të frymëkëmbimit janë në sasi të madhe dhe nuk përballohen nga mbrojta e mukusit dhe e qerpikëve. Infeksionet ose sëmundjet më kryesore të rrugëve të frymëkëmbimit janë: rrufa, gripi, bronkiti, pneumonia, tuberkulozi i mushkërive dhe kanceri i mushkërive. Rrufa është një infeksion i zgavrave të hundës që shkaktohet nga një virus. Ky virus nxit shtimin e mukusit të hundëve, lotimin e syve, vështirësi në frymëmarrje etj. Për shërimin nga rrufa nuk ka ndonjë ilaç të veçantë. Gripi është një sëmundje që shkaktohet nga viruset dhe shoqërohet me dhimbje koke, dhimbje trupi, ethe dhe kollë. Edhe për shërimin nga gripi nuk ka ndonjë ilaç të veçantë. Megjithatë, për të sëmurët me grip duhet bërë kujdes që organizmi i tyre të mos e humbasë qëndrueshmërinë (rezistencën) sepse rrezikohet nga baktere që shkaktojnë sëmundje të rënda. Për të parandaluar gripin mjekët rekomandojnë bërjen e një vaksine që e pajis organizmin me qëndrueshmëri ndaj viruseve që shkaktojnë këtë sëmundje. Bronkiti është një infeksion i bronkeve që shkakton kollë dhe ethe të forta. Ky infeksion shpesh çon në një dëmtim të rëndë të shtresës së qelizave mbuluese që veshin bronket nga brenda. Shpesh dëmtohen edhe qerpikët e këtyre qelizave. Shkaktarë të bronkitit mund të jenë mikroorganizma ose disa substanca që acarojnë rrugët e frymkëmbimit dhe që mund të merren me frymëmarrje, nga pirja e duhanit ose nga ajri i ndotur.
Pneumonia është një infeksion i alveolave të mushkërive që shoqërohet me kollë, me ethe dhe me dhimbje të forta të gjoksit. Pneumonia shërohet shpejt duke përdorur antibiotikët që këshillon mjeku. Shkaktarët më të zakonshëm të pneumonisë janë disa baktere. Tuberkulozi i mushkërive është një sëmundje infektive që shkaktohet nga një bakter në formë shkopi (bacil). Infektimi me mikrobet e tuberkulozit bëhet kryesisht me anë të ajrit të thithur gjatë frymëmarrjes, por nuk përjashtohet edhe mundësia e infektimit me anë të ushqimeve. Zakonisht infektimi bëhet në moshën fëminore, rreth 1-5 vjeç. Në këtë kohë në mushkëritë e fëmijës krijohet një zonë e infektuar me disa të fryra si kokrriza në madhësinë e bërthamës së qershisë. Meqenëse në gjuhën latine diçka e fryrë quhet tuberculum dhe fryrjet si kokrriza që shfaqen në organe të ndryshme, janë quajtur tuberkula, sëmundja e lidhur me to quhet tuberkuloz. Kur kjo sëmundje prek mushkërinë, quhet tuberkulozi i mushkërive. Përparimi i tuberkulozit të mushkërive varet nga gjendja e organizmit, nga qëndrueshmëria (rezistenca) e tij, nga të ushqyerit dhe nga kushtet e jetës. Në spitale dhe në qendrat shëndetësore funksionojnë shërbime të specializuara antituberkulare, ku mundësohet zbulimi i formave fillestare të kësaj sëmundjeje dhe bëhet mjekimi i tyre. Kanceri i mushkërive është një sëmundje që prek më shumë meshkujt. Kjo sëmundje fillon nga qelizat epiteliale (të mukozës) të bronkeve, por më vonë përhapet edhe në mushkëri e organe të tjera si, në mëlçi, në tru, në kocka etj. Kanceri i mushkërive prek më tepër personat që pinë duhan. Higjiena e frymëkëmbimit Për një frymëkëmbim më të mirë duhet të zbatoni këto rregulla kryesore: 1. Bëni ndërrimin e shpeshtë të ajrit në shtëpinë tuaj duke hapur shpesh dritaret. 2. Shmangni qëndrimin në mjedise të mbyllura ku oksigjeni është i paktë. 3. Bëni shëtitje të shpeshta në natyrë ku nuk ka ndotës të ajrit . 4. Kur të zgjoheni nga gjumi, hapni dritaren dhe bëni disa frymëmarrje. 5. Bëni frymëmarrje gjithnjë me hundë në mënyrë që ajri i thithur, deri sa të arrijë në mushkëri, të ketë marrë lagështinë dhe temperaturën e nevojshme. 6. Shmangni rrymat (korrentet) e ajrit dhe mjediset me ndryshime të mëdha të temperaturës. 7. Mos vishni rroba që u rrinë të shtrënguara, se vështirësojnë frymëmarrjen. 8. Kur në shtëpi është një sobë ose një pajisje tjetër ngrohëse e ndezur që punon me lëndë djegëse, kujdesuni që të bëni ajrosjen e shpeshtë të shtëpisë, sepse gazi karbonik që çlirohet nga djegia e lëndëve djegëse mund të shkaktojë helmim që përfundon me vdekje.